Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar nxjerrjen e një vendimi që përcakton masa strikte për organizimin e ngjarjeve publike në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtyre rregullave është mbrojtja e mjedisit dhe vendosja e një standardi të ri të përgjegjësisë për hapësirat publike.
Sipas vendimit të publikuar nga ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, çdo organizator i festivaleve apo koncerteve do të jetë i obliguar të zbatojë masa specifike, të cilat përfshijnë:
- Menaxhimin e duhur të mbeturinave gjatë dhe pas përfundimit të aktiviteteve.
- Pastrimin e plotë të hapësirave të shfrytëzuara.
- Respektimin e kufijve të zhurmës.
- Ruajtjen e cilësisë së ajrit, ujit dhe natyrës.
Një risi në këtë vendim është fuqizimi i komunave për të kërkuar garanci financiare për aktivitetet që vlerësohen se kanë ndikim më të lartë në mjedis. Kjo garanci do të shërbejë për rehabilitimin e hapësirës pas përfundimit të ngjarjes, duke siguruar që mjedisi të kthehet në gjendjen e mëparshme. Ministria ka theksuar se këto standarde nuk janë opsionale, por detyrime që duhet të zbatohen nga çdo palë organizuese.
Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se institucionet përkatëse do të mbikëqyrin zbatimin e rregullave dhe se nuk do të ketë kompromis sa i përket respektimit të këtyre normave. Institucioni vlerëson se zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese në Kosovë duhet të ecë në harmoni me mbrojtjen e mjedisit, duke e konsideruar këtë si një detyrim ndaj brezave të ardhshëm. "Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë", u shpreh ajo.