Shtatë persona humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak tip Bell 412 (me numër regjistrimi #LVKGR) gjatë një stërvitjeje për shuarjen e zjarreve pyjore në provincën San Juan, në perëndim të Argjentinës. Ngjarja ndodhi paraditen e së hënës, 29 korrik 2026, ndërsa helikopteri po fluturonte mbi Parkun Natyror Ischigualasto, rreth 1 200 kilometra larg Buenos Airesit.
Sipas njoftimeve nga autoritetet dhe Agjencia Federale e Emergjencave, kontakti me mjetin fluturues humbi pak para orës 10:30, me kohën lokale, ndërsa helikopteri ndodhej në një lartësi prej rreth 4 000 metrash. Helikopteri u përplas në tokë vetëm pak çaste pas ngritjes. Personeli që gjendej në bord ishte pjesë e një programi kombëtar trajnimi, i organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve, ku merrnin pjesë rreth 50 praktikantë nga ekipet lokale të emergjencës.
Guvernatori i provincës San Juan, Marcelo Orrego, konfirmoi tragjedinë dhe humbë dhe humbjen e jetëve të të shtatë anëtarëve të ekuipazhit. Mes viktimave të identifikuara janë:
• Marcelo Videla, zëvendësshef i Policisë së San Juanit
• Rubén Castro, shef i Shërbimit Zjarrfikës
• Carlos Heredia, drejtor i Mbrojtjes Civile
• Jorge Carbajal, zëvendësshef i Shërbimit Zjarrfikës
Identiteti i tre viktimave të tjera nuk është bërë ende publik nga autoritetet. Megjithëse raportimet fillestare sugjerojnë se kushtet atmosferike ishin të favorshme në momentin e stërvitjes, shkaqet e sakta të aksidentit mbeten të paqarta. Autoritetet vendëse kanë nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar nëse rrëzimi është shkaktuar nga një defekt teknik apo faktorë të tjerë ndikues.
Përditësime
Guvernatori i San Juan, Marcelo Orrego, konfirmoi në X se helikopteri Bell 412 ishte nisur drejt provincës së La Rioja për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri pyjor.
Autoritetet kanë përfunduar identifikimin e 7 viktimave të aksidentit ajror në Argjentinë, pasi konfirmuan identitetin e dy zjarrfikësve dhe pilotit. Kontakti i fundit me helikopterin është regjistruar në orën 10:26. Rrënojat u lokalizuan nga ekipet e shpëtimit pas aktivizimit të sinjalit të emergjencës (ELT), ndërsa një helikopter i dytë i dërguar në zonë konfirmoi vendndodhjen e mbetjeve të mjetit.
Autoritetet konfirmuan se mes shtatë viktimave ndodhen edhe përfaqësues të Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (AFE). Ekipet e shpëtimit kanë lokalizuar rrënojat në Valle Fértil, ku terreni tejet i thyer dhe kushtet sfiduese gjeografike po vështirësojnë operacionet e nxjerrjes së trupave.