Gjatë ceremonisë përkujtimore për veprimtaren dhe humanisten Flora Brovina, është përcjellë një mesazh ngushëllimi nga Salih Mustafa dhe bashkëluftëtarët e tij që ndodhen në Hagë. Mesazhi është lexuar nga vajza e Mustafës, Buna Mustafa, e cila tregoi se ky mesazh u bë i mundur përmes një telefonate që babai i saj kishte kërkuar të ndahej me të pranishmit.
Në mesazhin e tij, Mustafa ka vlerësuar kontributin e Flora Brovina-s, duke e cilësuar atë si bashkëveprimtare dhe bashkëluftëtare të rëndësishme. Ai e ka përshkruar atë si "krahun e djathtë" të tij dhe të Isa Kastratit, duke shtuar se ajo ishte një luftëtare e Guerilës dhe shpirti i rezistencës. "Bota duhet të dijë se kush ishte doktoreshë Flora. Ajo ishte UÇK", ka cituar Buna Mustafa fjalët e të atit.
Ngushëllimet për familjen dhe shoqërinë e Brovina-s u pasuan nga reagime dhe homazhe nga figura dhe institucione të ndryshme në Kosovë, të cilat rikujtuan angazhimin e saj humanitar dhe mjekësor gjatë viteve të luftës.