Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka zhvilluar një vizitë në Zubin Potok, vendi ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive, në të cilën mendohet se ndodhen trupat e personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës, Lushtaku shprehu mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin e identifikimit dhe gjetjes së të zhdukurve. Ai nënvizoi se ky proces është i rëndësisë së veçantë për familjet e viktimave, pasi u krijon mundësinë atyre që të mësojnë fatin e të dashurve të tyre dhe të nderojnë kujtimin e tyre pranë varreve.
“Dua ta falënderoj Policinë e Kosovës edhe gjithë ata që e kanë bërë të mundur që të gjenden edhe këta të zhdukur, sepse ka shumë rëndësi për familjet, rrethin edhe për Kosovën natyrisht. Sa është e vështirë dhe e rëndë është edhe një ditë, sidomos për familjet, çlirimi, sepse në fund të fundit kanë mundësi që të shkojnë të vendosin një tufë lule pranë varrezave të tyre”, deklaroi Lushtaku.
Në lidhje me arrestimin e dy shtetasve serbë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në krime të kryera gjatë luftës, kryetari i Skenderajt vlerësoi punën e organeve të drejtësisë. Ai kërkoi që procesi të vijojë me profesionalizëm dhe theksoi se veprimet ligjore ndaj personave që kanë kryer krime duhet të vazhdojnë.
“Mendoj se këtu tani varet edhe mënyra e punës, profesionalizmi i tyre. Për mua është tepër pozitive që janë gjetur një pjesë e tyre. Unë nuk pres nga Serbia që të rrahë shuplaka për arrestimin e atyre që kanë bërë krime në këtë vend. Arrestimet duhet të vazhdojnë të ndodhin. Ka shumë serbë që janë të lirë, e krimet janë tepër të mëdha në Kosovë, e sidomos në komunën tonë”, u shpreh ai.