Pasditen e së shtunës, një masiv i madh shkëmbor është shkëputur dhe ka rënë në rrugën nacionale Burrel-Klos, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si "Shkëmbi i Kuq", një pikë që konsiderohet e rrezikshme për shkak të terrenit.
Sipas informacioneve, gjatë momentit të shembjes në rrugë kishte fluks të lartë automjetesh. Një familje, e cila po kalonte me mjetin e saj në drejtim të Burrelit, ka shpëtuar mrekullisht pa u dëmtuar nga rënia e shkëmbinjve.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivët e Policisë Rrugore kanë mbërritur në vendngjarje për të siguruar zonën dhe për të drejtuar trafikun. Një mjet tip fadromë i firmës mirëmbajtëse ka ndërhyrë për të mundësuar lëvizjen e mjeteve, duke e bërë të mundur hapjen e aksit për qarkullim, ndërsa largimi i plotë i masivit shkëmbor pritet të kryhet gjatë ditës së nesërme. Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e policisë.
Ekspertët vlerësojnë se aksi Burrel-Klos paraqet disa pika kritike për shembje të ngjashme, të cilat ndodhen në:
• Suç;
• Përroi i Keçit;
• Fshatin Bërshi të Klosit;
• Afër urës së fshatit Fshat.
Përditësime
Qarkullimi në aksin nacional Burrel-Klos po zhvillohet me vështirësi për shkak të shembjes së një masivi shkëmbor në vendin e quajtur 'Shkëmbi i Kuq'. Aktualisht, lëvizja kryhet me një korsi, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë deri në përfundimin e ndërhyrjes për pastrimin e rrugës.