Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se zyrtarët e sigurisë kanë parandaluar futjen e një sasie të paligjshme të lëndëve narkotike në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Gjatë kontrolleve të rregullta të sigurisë, personeli korrektues ka identifikuar një pako të dyshimtë brenda perimetrit të institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se pakoja ishte hedhur nga jashtë institucionit. Pakoja është zbuluar rreth orës 02:35. Pas kontrollit dhe matjes së detajuar, u konstatua se pesha e lëndës së dyshuar, së bashku me mbështjellësin, ishte 87 gramë. Rasti është raportuar menjëherë te Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të ndjekur procedurat e parashikuara ligjore.
SHKK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë me zbatimin e masave të shtuara të sigurisë dhe kontrolleve të vazhdueshme, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve dhe substancave të ndaluara brenda institucioneve korrektuese në vend.