Tifogrupi Dardanët ka njoftuar se biletat për sektorin e tifozëve kosovarë në ndeshjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë janë shitur plotësisht. Ndeshja zhvillohet më 26 mars në Stadiumin Nacional të Bratislavës, në kuadër të play-off-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, lista e emrave të atyre që kanë rezervuar bileta është përfunduar dhe nuk pranohen më kërkesa të reja. Rreth 1100 bileta, që përfaqësojnë pesë për qind të kapacitetit të stadiumit prej 22 500 ulëse, u garantuan Federatës së Futbollit të Kosovës sipas rregullave për tribunat mysafire.
Federata e Futbollit të Sllovakisë mori masa për të parandaluar që biletat e saj të përfundojnë te tifozët kosovarë. Interesi i madh për këtë përballje erdhi pas rezultateve pozitive të Kosovës në ndeshje të mëparshme në Lubjanë, Goteborg e Basel.
Në njoftimin e Dardanëve thuhet: «SOLD-OUT për sfidën ndaj Sllovakisë. Të dashur tifozë, nuk ka më bileta. Kërkojmë mirëkuptim që nga sot nuk shqyrtojmë kërkesa të reja. Abonimet vjetore vazhdojnë për duelet e ardhshme».
Nëse Kosova fiton ndaj Sllovakisë, do të luajë finalen e play-off-it më 31 mars në stadiumin Fadil Vokrri ndaj Turqisë ose Rumanisë.