Tifozët e Kosovës kanë mbushur rrugët dhe lokalet e Bratisllavës të mërkurën në mbrëmje, një ditë para ndeshjes gjysmëfinale play-off për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026 midis Sllovakisë dhe Kosovës. Ndeshja luhet të enjten në orën 20:45 në stadionin NFS Tehelne Pole në Bratisllavë, me kapacitet 22.500 vendesh. Biletat janë shitur plotësisht.
Atmosfera festive e tifozëve
Mediat sllovake, si Pravda dhe Sport24.sk, raportojnë se tifozët kosovarë, të quajtur "Dardanët", kanë krijuar atmosferë festive duke kënduar këngë tradicionale si "Mora fjalë", "Xhamadani vija-vija" dhe "Për Kosovë, jetën dojmë me dhanë". Ata kanë mbushur restorantet dhe kafenetë, duke shpërndarë entuziazëm në qendër të qytetit. Video dhe foto në rrjetet sociale tregojnë praninë e tyre të madhe.
Sipas këtyre mediave, tifozët kosovarë mund të përbëjnë deri në 50% të spektatorëve në stadionin Tehelne Pole.
Reagimi i Federatës Sllovake
Një burim raporton 100 bileta për sektorin mysafir, ndërsa të tjerët thonë 1.000 bileta për sektorin mysafir dhe 300 për kategorinë e parë, në përputhje me rregullat e UEFA-s.
Federata e Futbollit e Sllovakisë (SFZ) ka publikuar një deklaratë zyrtare, duke mohuar shqetësimet për "pushtim". Ajo shpjegon se janë përdorur kufizime gjeografike gjatë shitjes së biletave dhe ka identifikuar qindra emra me mbiemra ballkanikë në sektorët vendas, të cilët mund të kenë pasaporta të Bashkimit Evropian, përfshirë atë sllovake.
SFZ thekson se në hyrje do të kontrollohen dokumentet kundrejt emrave të biletave. Tifozët me pasaporta kosovare do të drejtohen në sektorin e rezervuar për mysafirë për arsye sigurie. Çdo rast vlerësohet individualisht për të siguruar komoditetin e të gjithëve.
Përditësime
Kosovës i takojnë zyrtarisht 5% e biletave për ndeshjen (rreth 1.300): 300 për kategorinë e parë dhe 1.000 për tribunën e tifozëve.
Biletat e tjera u shitën vetëm me numra telefonikë sllovakë.
Zyrtarët e FFK-së kanë deklaruar se simbolet e Kosovës nuk lejohen në tribuna të tjera përveç asaj mysafire.
Autoritetet sllovake e kanë cilësuar ndeshjen play-off si me rrezik të lartë. Policia sllovake ka shtuar masa sigurie në Bratislavë, me prani të policisë rrugore, rendit dhe njësive kriminale, duke imponuar kufizime në trafik dhe mbyllje rrugësh përreth stadionit. Ajo njoftoi zyrtarisht se do të ruajë rendin dhe ftoi tifozët të respektojnë udhëzimet.
Policia sllovake ka publikuar në rrjetet sociale një deklaratë për masat e sigurisë në Bratislavë. «Qëllimi i masës së sigurisë është mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe siguria dhe rrjedha e qetë e trafikut rrugor në Bratislavë. U bëjmë thirrje tifozëve të mos kryejnë veprime të paligjshme», thuhet në postim.