Rrugëtimi evropian i skuadrës së Shkëndijës ka përfunduar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Shkup, skuadra tetovare nuk arriti ta përmbyste disavantazhin e ndeshjes së parë në Edinburg, ku ishte mundur me rezultatin 2-1.
Në përballjen e zhvilluar në Arenën Kombëtare Todor Proeski, pavarësisht dominimit të vendasve dhe krijimit të 15 rasteve për shënim, ndeshja përfundoi me barazim pa gola, 0-0. Futbollistët e drejtuar nga trajneri Artim Pollozhani bënë një paraqitje të qëndrueshme, duke u treguar efikas edhe në fazën mbrojtëse për të neutralizuar kundërshtarin. Mundësitë më të pastra të ndeshjes u regjistruan me Almir Kryeziun, Tamba-n dhe Ndezengue-n, të cilët nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre përballë portierit të Hibernian, Salinger.
Me këtë epilog, skuadra skoceze siguroi kalimin në raundin e play-off-it, duke konfirmuar formën e mirë pas eliminimit të Malishevës në raundin paraardhës. Për Shkëndijën, ky eliminim shënon fundin e aventurës në garat evropiane për këtë sezon, duke u fokusuar tashmë në garën për titullin kampion në Maqedoninë e Veriut.