Anuela Ristani, kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës, inspektoi punimet në shkollën e re 9-vjeçare në Astir më 7 prill 2026. Ajo deklaroi se objekti do të jetë gati për vitin shkollor 2026-2027 dhe do të akomodojë 1000 nxënës.
Ristani theksoi se kjo shkollë shton për herë të parë infrastrukturën publike arsimore në një zonë me dendësi të lartë banorësh dhe nevoja të mëdha për investime. “Është një shkollë e shumëkërkuar e cila ka ecur tej mase mirë dhe me gjithë përpjekjet e mundshme do të bëjmë të mundur që të jetë e gatshme”, u shpreh ajo.
Krahas klasave mësimore, shkolla përfshin dy klasa parashkollore, të cilat do të plotësohen me një kopsht në anën tjetër të rrugës. “Jemi të kënaqur të ofrojmë këto mundësi banorëve të zonës, pasi prej vitesh është kërkuar shërbim arsimi publik në një zonë të re me shumë familje të reja”, shtoi Ristani.
Projekti ndodhet në rrugën “Muharrem Çaushi” dhe ka sipërfaqe totale ndërtimi 6397 m². Objekti zhvillohet në tre kate me arkitekturë bashkëkohore dhe përfshin:
- 28 klasa mësimi;
- laboratorë;
- bibliotekë;
- palestër;
- sallë multifunksionale;
- ambiente për fëmijët me aftësi ndryshe;
- hapësira rekreative dhe sportive, përfshirë një tarracë të gjelbëruar.
Shkolla është projektuar për të ofruar kushte optimale mësimi dhe për të funksionuar si qendër komunitare me akses të plotë për personat me aftësi ndryshe.