Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (SHKSHMK) ka shpëtuar një shtetase italiane në zonën e Brezovicës, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, më 7 mars 2026.
Një grup turistësh italianë po skijonin në zonën ndërmjet Majës së Gurit të Zi dhe Majës së Liqenit, kur ka ndodhur aksidenti. Ski-bjeshkatarja kishte pësuar frakturë në këmbë dhe nuk mund të lëvizte nga vendi i ngjarjes.
SHKSHMK pranoi thirrjen për ndihmë dhe zhvilloi operacionin me dy ekipe nga qendra skitare e Brezovicës. Ekipi i parë arriti menjëherë, ofroi ndihmën e parë dhe imobilizoi të lënduarën. Ekipi i dytë u bashkua me pajisje për evakuimin.
Për shkak të izolimit të zonës dhe vendndodhjes brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, evakuimi u realizua me helikopter në bashkëpunim me autoritetet e këtij shteti.
Gjatë operacionit, SHKSHMK u koordinua me Ambasadën e Italisë në Kosovë, Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana) dhe Ambasadën e Italisë në Maqedoninë e Veriut. Operacioni u mbështet gjithashtu nga menaxhmenti i Qendrës së Skijimit në Brezovicë (AKP).