Dy shtetas çekë u shpëtuan të dielën, më 11 tetor, pasi mbetën të bllokuar nga moti i keq dhe mjegulla në një strehimore në majën e Piribegut, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), ata ndodheshin në lartësinë 2 524 metra dhe kishin qëndruar aty që nga dita e shtunë, pasi nuk mund të orientoheshin. Lajmi.net raporton se alpinistët ishin 40 dhe 22 vjeç.
Thirrja emergjente u përcoll përmes numrit 112 në orën 08:22 dhe u mor nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) e Maqedonisë së Veriut. Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza në Tetovë njoftoi shërbimet përkatëse dhe bashkërendoi komunikimin me institucionet kosovare. Sipas QMK-së, nga ana e Maqedonisë së Veriut vendi mund të arrihej vetëm në këmbë, në një udhëtim që do të zgjaste më shumë se gjashtë orë në një drejtim. Ndërhyrja me helikopter nuk ishte e mundur për shkak të shiut dhe mjegullës.
Rruga nga qendra e skijimit në Brezovicë ofronte qasje më të lehtë. Gjatë koordinimit u përfshinë Stacioni Policor në Tearcë, Qendra e Urgjencës në Tetovë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë, ndërmarrja “Pyjet Kombëtare” dhe ShKShMK. Në orën 11:45, QMK-ja komunikoi me njërin prej alpinistëve përmes telefonit dhe mesazhit SMS, duke e njoftuar se një ekip nga Kosova do të shkonte për t’i evakuuar.
Në orën 14:21, ShKShMK njoftoi se ekipet po mbanin kontakt me dy personat dhe se ata ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Evakuimi pritej rreth orës 16:00. Në orën 16:50, QMK-ja mori njoftimin se alpinistët ishin gjetur dhe po transportoheshin drejt Shtërpcës.
ShKShMK bëri të ditur se ekipi u ofroi ndihmën e parë dhe i evakuoi deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Operacioni zgjati katër orë nga marrja e thirrjes emergjente. Më pas, dy shtetasit u dërguan në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe iu dorëzuan Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme. Shërbimi u bëri thirrje bjeshkatarëve të kontrollojnë parashikimin e motit dhe kushtet e sigurisë përpara nisjes.