Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka shpëtuar një qytetar në zonën e Grykës së Rugovës. Ngjarja ndodhi më 8 mars 2026 në Shtegun e Mushkave në Pejë, ku qytetari rrëshqiti për disa metra në një terren të pjerrët.
Qytetari i Republikës së Kosovës, gjatë ecjes në shteg, pësoi lëndime trupore dhe mbeti i bllokuar në një pjesë të ekspozuar me rrezik të lartë për rënie në humnerë. Për shkak të konfiguracionit të vështirë të terrenit dhe pozitës së rrezikshme, ai kërkoi ndihmë për evakuim.
Menjëherë pas pranimit të thirrjes për ndihmë, një ekip i ShKShMK-ut nga Stacioni i Pejës u nis drejt vendngjarjes. Në vend, ekipet vlerësuan situatën, ofruan ndihmën e parë dhe realizuan evakuimin e qytetarit në mënyrë të sigurt.
Operacioni u përfundua me sukses. ShKShMK i ka uruar qytetarit shërim të shpejtë. Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë ecjeve në terrene malore dhe të jenë të pajisur me pajisjet e nevojshme për siguri.