Shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit në tremujorin e parë të vitit 2026 ishin vetëm 5,2 miliardë lekë, rreth 53 milionë euro. Kjo shifër përfaqëson nivelin më të ulët për të njëjtën periudhe në 17 vite, që nga viti 2009.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nevoja për infrastrukturë vazhdon të rritet, veçanërisht për shkak të kritereve të integrimit evropian. Megjithatë, aftësia e shtetit për të realizuar investime kapitale ka rënë ndjeshëm. Kjo lidhet me hetimet e SPAK-ut për një seri çështjesh, si koncesionet PPP, inceneratorët, tenderat e ARRSH-së dhe AKSH-së, ku në shumë raste fondet e dhëna për investime janë abuzuar plotësisht.
Grafiku i shpenzimeve kapitale për tremujorët e parë tregon kulmin në vitet 2012-2013, kur shifrat kaluan 65 miliardë lekë. Pas kësaj periudhe, ka pasur një rënie të vazhdueshme që nuk është rikthyer.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo situatë nuk buron nga mungesa e fondeve, pasi alokimi i investimeve publike është shumëfishuar krahasuar me 10 vite më parë. Problemi lidhet me sistemin, ku fondet alokohen kryesisht në muajin dhjetor dhe humbasin para se të shndërrohen në asete konkrete.
Hetimet kanë identifikuar skema abuzimi në tenderat e ARRSH-së, ku kostoja për kilometër rruge fryhet artificialisht dhe kontratat u jepen kompanive pa kapacitete, duke zvarritur projektet me dekada. Në rastin e inceneratorëve, paratë për infrastrukturën e mbetjeve janë devijuar përmes kompanive guackë, duke lënë pas objekte që nuk funksionojnë.