Një zjarr i madh ka rënë pasditen e së premtes në një fabrikë në Southend Road, midis zonave East Hanningfield dhe Rettendon në Essex, Britani e Madhe. Flakët shkaktuan një shpërthim të fuqishëm, i cili u dëgjua nga banorët deri në 24 kilometra largësi.
Sipas shefit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Essex, Dave Bond, shpërthimi erdhi si pasojë e sasisë së plehut kimik që ndodhej në ndërtesat e përfshira nga zjarri. Për shkak të rrezikshmërisë, autoritetet e shpallën ngjarjen si një incident madhor. Në operacionin e ndërhyrjes u angazhuan mbi 100 zjarrfikës, të cilët arritën të izolojnë flakët.
Fatmirësisht, nuk janë raportuar viktima apo të lënduar. Si masë parandaluese, disa banorë u evakuuan nga zonat përreth, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve të tjerë të qëndronin në banesa me dritare të mbyllura për shkak të tymit të dendur. Deri në mëngjesin e së shtunës, numri i efektivëve në terren u reduktua në 25 zjarrfikës, të cilët vijuan punën për shuarjen përfundimtare të mbetjeve të zjarrit. Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
Përditësime
Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë industriale në Essex shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në zonë. Dëshmitarët raportuan se fillimisht ngatërruan shpërthimin me një bum zanor, ndërsa pamjet ajrore konfirmojnë se flakët kanë përfshirë ndërtesat e objektit dhe disa automjete të parkuara përreth.