Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Sektorit Fllakë në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, kur një sasi e dyshuar si lëndë plasëse ka shpërthyer në derën e një lokali.
Objekti është në përdorim nga shtetasit Ramazan Balla dhe Erjon Balla. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje, autoritetet konfirmojnë se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për asnjë person të lënduar.
Shërbimet e Policisë së Durrësit dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Puna për zbardhjen e rrethanave të plota, përcaktimin e sasisë dhe llojit të lëndës së përdorur, si dhe identifikimin e autorëve vijon aktualisht. Sipas të dhënave të publikuara nga burimet mediatike, përdoruesit e lokalit nuk rezultojnë të kenë precedentë të mëparshëm penalë.