Dy turistë gjermanë janë shpëtuar pas një operacioni kërkim-shpëtimi në malin e Çikës, pasi humbën orientimin gjatë eksplorimit të zonës. Pasi u bllokuan në terrenin e vështirë malor, ata dërguan një sinjal SOS për të kërkuar ndihmë.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan forcat speciale Delta Force, shërbimet e Policisë së Vlorës, si dhe punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura. Për të mundësuar lokalizimin dhe nxjerrjen e shpejtë të turistëve nga zona e vështirë, u përdor një helikopter. Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati gjithsej 4 orë.
Pas gjetjes, turistët u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi rezultuan të dehidratuar për shkak të qëndrimit të gjatë në terren. Aktualisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe nuk paraqesin probleme serioze shëndetësore.
Ky rast shënon herën e pestë brenda dy muajve të fundit që vizitorë të huaj kanë kërkuar ndihmë për shkak të bllokimit ose humbjes së rrugës gjatë eksplorimit të këtij masivi malor.
Përditësime
Autoritetet kanë përditësuar bilancin e operacionit të shpëtimit në Parkun Kombëtar të Llogarasë, duke konfirmuar se numri i turistëve gjermanë të shpëtuar është 3 persona, në vend të 2 të raportuar fillimisht.
Autoritetet konfirmuan se dy turistë gjermanë, rreth 18 vjeç, janë shpëtuar në malin e Çikës, duke saktësuar bilancin fillestar që fliste për tre persona. Operacioni u koordinua nga Qendra Operacionale Kombëtare e Emergjencave Civile, me pjesëmarrjen e Njësisë së Fierit të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Ekipet e gjetën grupin në orën 19:00 dhe përfunduan evakuimin në orën 19:30. Turistët vlerësuan ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale të autoriteteve shqiptare.
Policia e Vlorës ka saktësuar se në operacionin e shpëtimit në malin e Çikës janë përfshirë 3 turistë gjermanë, dhe jo 2 siç u raportua fillimisht. Autoritetet kanë publikuar pamjet e operacionit, të cilat dokumentojnë ndërhyrjen e ekipeve të specializuara në terrenin e vështirë malor.