Një operacion kërkim-shpëtimi u zhvillua me sukses mbrëmjen e kaluar në Kanionet e Gjipesë, në Dhërmi, për nxjerrjen e një shtetasi holandez dhe dy fëmijëve të tij të mitur. Personat kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur dhe kërkuan ndihmën e forcave të rendit për t'u evakuuar.
Operacioni i shpëtimit zgjati rreth 4 orë dhe u realizua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Repartin Special Delta Forcë. Ndërhyrja u zhvillua në kushte sfiduese, për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës së plotë. Pas lokalizimit, efektivët bënë të mundur nxjerrjen e sigurt të turistëve.
Pas evakuimit, turisti dhe dy fëmijët morën ndihmën e parë mjekësore. Sipas njoftimeve zyrtare, ata rezultuan të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime. Shtetasi holandez shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e marrë, duke vlerësuar profesionalizmin e tre efektivëve të përfshirë në operacion, të cilët i cilësoi si heronj për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste zona gjatë natës.
Policia e Shtetit bëri të ditur se mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo emergjence të qytetarëve apo vizitorëve në zonat turistike.