Një operacion kërkim-shpëtimi i zhvilluar nga shërbimet e Policisë së Shtetit ka mundësuar nxjerrjen e sigurt të një turisti nga Holanda dhe dy fëmijëve të tij të mitur, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur të Kanioneve të Gjipesë, në Dhërmi.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u organizua nga efektivët e Stacionit të Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Repartin Special Delta Forcë, pasi u mor njoftimi se turistët kishin humbur orientimin dhe ishin izoluar në një zonë shkëmbore. Operacioni zgjati rreth 4 orë dhe u realizua në kushte të vështira, të rënduara nga errësira dhe terreni i thyer.
Pas lokalizimit dhe evakuimit, tre turistët morën ndihmën e parë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ata nuk kanë pësuar lëndime dhe gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore. Turisti holandez shprehu mirënjohjen e tij për efektivët që morën pjesë në këtë ndërhyrje, duke i cilësuar ata si heronj, pasi zona ku kishin mbetur të bllokuar ishte veçanërisht e rrezikshme gjatë orëve të natës.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të garantuar ndihmë të shpejtë dhe profesionale për qytetarët dhe turistët në rast emergjence.