Dy turistë me origjinë çeke, të moshës 43 dhe 76 vjeç, janë nxjerrë në mënyrë të sigurt nga strukturat e kërkim-shpëtimit pasi kishin mbetur të bllokuar në Kanionet e Gradecit, në Skrapar. Ngjarja ndodhi pasi turistët humbën kontaktet me familjarët e tyre gjatë eksplorimit të zonës së thepisur malore.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe Njësinë Alpine Fier, nisën menjëherë operacionin e kërkimit. Për të lokalizuar personat në terrenin e vështirë, ekipet e shpëtimit përdorën teknologjinë e dronëve.
Në operacion u angazhua gjithashtu Ekipi Canyoning Skrapar. Pas gjetjes së turistëve, të cilët e kishin të pamundur të vijonin lëvizjen, ekipet e bashkuara arritën t'i nxirrnin ata nga kanioni. Pas përfundimit të operacionit, turistët shprehën falënderimet e tyre për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionalizmin e ekipeve të angazhuara. Policia e Shtetit theksoi se mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë së turistëve në çdo zonë të territorit të vendit.