Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar publikisht ndaj një komenti në rrjetet sociale, përmes të cilit bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi. Ky i fundit është dënuar në shkallë të parë me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në reagimin e saj, Mehmeti-Selimi e ka cilësuar rastin si jashtëzakonisht serioz, duke theksuar se mospajtimet politike apo bindjet personale nuk mund të shërbejnë si justifikim për nxitjen e dhunës apo kërcënimet për vrasje. Ajo deklaroi se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për të cenuar sigurinë e një personi.
Deputetja i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Shtetit me kërkesën për të nisur hetimet, për të identifikuar autorin e komentit dhe për të vlerësuar përgjegjësinë penale të këtij veprimi. Ajo ka nënvizuar se heshtja apo normalizimi i një gjuhe të tillë është i papranueshëm dhe se institucionet e drejtësisë kanë detyrimin ligjor të veprojnë në raste të tilla, pavarësisht se ndaj kujt drejtohet kërcënimi.
Sipas raportimeve, komenti specifik që nxiti këtë reagim kërkonte ekzekutimin e Rexhep Selimit në momentin që ai të kthehet në trojet shqiptare.