Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2024, Shqipëria kishte një raport prej 372 shtretërish për 100 mijë banorë, bazuar në një popullsi prej 2.39 milionë banorësh. Megjithëse numri i shtretërve është rritur me 7.4% krahasuar me vitin 2014, kur numëroheshin 8,295 shtretër, përmirësimi i këtij treguesi është ndikuar kryesisht nga tkurrja e popullsisë me rreth 400 mijë banorë gjatë kësaj dekade.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria mbetet prapa për sa i përket kapaciteteve spitalore:
• Serbia: 606 shtretër
• Maqedonia e Veriut: 452 shtretër (të dhëna të vitit 2021)
• Mali i Zi: 387 shtretër
Pavarësisht rritjes së numrit të shtretërve, sistemi spitalor përballet me sfida të rënda. Rritja e barrës së sëmundjeve, emigracioni i personelit mjekësor dhe përqendrimi i ndërhyrjeve të ndërlikuara në spitalet e Tiranës kanë krijuar presion mbi kapacitetet ekzistuese. Shumë spitale rajonale, sipas raportimeve, kanë reduktuar funksionet e tyre, duke rritur ndjeshëm nevojën për shërbime në qendër.