Sipas raportit rajonal Gigmetar për vitin 2025, Shqipëria regjistron rënien më të madhe të numrit të punëtorëve freelance në Rajonin e Europës Juglindore. Kjo tkurrje arrin 5.3% të numrit total të punëtorëve aktivë në platformat kryesore, nga korriku 2024 në maj 2025, ndërsa rajoni në tërësi ka pësuar një ulje prej vetëm 0.7%.
Ky trend është veçanërisht i dukshëm në platformën Upwork, ku numri i shqiptarëve të angazhuar u ul me 7.5%, dhe në Freelancer, ku Shqipëria shënoi rënie prej 1%, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit që patën rritje. Në vitin 2025, numri i punëtorëve shqiptarë në këto platforma arrin 4108, me Upwork që mban 68.2% të tregut vendas.
Raporti nxjerr në pah se Shqipëria ka popullsinë më pak aktive të freelancerëve në rajon, me vetëm 28.2% të punëtorëve të angazhuar realisht në projekte, krahasuar me Maqedoninë e Veriut që kryeson me mbi 40%. Tkurrja më e madhe vërehet në profesionet e zhvillimit të software-ve dhe dizajnit kreativ.
Ekspertët e raportit e lidhin uljen me pasigurinë në sektorin teknologjik global dhe ndikimin e inteligjencës artificiale, që ndryshon kërkesën për shërbime. Për Shqipërinë, faktorë kryesorë janë emigrimi i të rinjve dhe mungesa e aftësive digjitale specifike, që pengojnë hyrjen ose qëndrimin e tyre në treg. Ndërkohë, vende si Rumania dhe Hungaria kanë shënuar stabilitet ose rritje të lehtë, ndërsa puna e lirë online lulëzoi gjatë pandemisë në Shqipëri.