Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria vijon të ketë shkallën më të lartë në rajon të pamundësisë ekonomike për blerjen e një automjeti. Në vitin 2023, 41% e qytetarëve shqiptarë deklaruan se nuk kishin mundësi financiare për të blerë një makinë, një shifër kjo dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila ishte 5.6% në vitin 2023 dhe 5.5% në vitin 2025.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, hendeku mbetet i dukshëm. Në Serbi, përqindja e personave që nuk mund të përballonin blerjen e një makine ishte 15% në vitin 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shifra ishte 13% (të dhëna të vitit 2024) dhe në Mal të Zi 8.9% (të dhëna të vitit 2024). Analiza tregon se shtresa më e prekur në Shqipëri përbëhet nga personat që jetojnë vetëm, ku 66% e meshkujve dhe 88% e femrave në këtë kategori shprehen se nuk mund ta përballojnë këtë shpenzim.
Ndërkohë, të dhënat e fundit nga Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se në fund të vitit 2025 në Shqipëri ishin regjistruar 847 mijë autovetura. Me 360 makina për 1000 banorë, Shqipëria renditet e treta në rajon, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën, të cilat kanë nga 338 automjete për 1000 banorë. Megjithatë, vendi qëndron ende pas Malit të Zi (442) dhe Serbisë (394).
Shqipëria mbetet larg mesatares europiane prej 578 makinash për 1000 banorë. Krahasimisht, shtete si Finlanda dhe Qipro gëzojnë nivele më të larta motorizimi, përkatësisht me 671 dhe 670 automjete për 1000 banorë. Ndërkohë, rekordin në Europë e mban Italia me 709 makina për 1000 banorë, ndërsa Kosova (241) dhe Turqia (203) raportojnë shifra më të ulëta se ato të Shqipërisë.
Përditësime
Të dhënat e reja të DPSHTRR konfirmojnë renditjen e Shqipërisë në vendin e tretë në rajon për numrin e automjeteve për 1000 banorë.