Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka publikuar listën e re të barnave të rimbursueshme, e cila përfshin afro 1366 barna, prej të cilëve 211 janë barnë spitalore. Ky zgjerim reflekton nevojën për të mbuluar një spektër më të gjerë diagnozash.
Drejtori i FSDKSH-së, Arti Papajani, në një intervistë për RTSH-në shpjegoi se lista përbën një sistem të integruar që balancon kujdesin ndaj pacientëve me standardet e mbrojtjes shëndetësore. Ai theksoi se procesi ndryshon vazhdimisht për të përfshirë barna të reja dhe për të plotësuar nevojat e qytetarëve.
Sa i përket rasteve kur pacientët nuk marrin barnat e rimbursueshme në farmaci, Papajani vlerësoi se ato janë të rralla. Ai identifikoi dy faktorë kryesorë: mungesën e përditësimit të farmacive me sistemin ose keqinformimin nga mjekët e familjes lidhur me barnat e reja dhe çmimet e tyre.
Papajani nënvizoi se procesi i kontrollit është një procedurë administrative normale për të garantuar transparencën dhe nuk synon të ndëshkojë farmacitë. Ai sqaroi se nuk është ndërprerë ndonjë kontratë për raste që nuk lidhen me identifikimin e drejtpërdrejtë të fiktivitetit. Farmacitë vazhdojnë punën normalisht, me kontratat në fuqi dhe të paprekura.
Hartimi i listës bazohet në nevojat reale të pacientëve dhe në përparësitë reale të shërbimeve universitare shëndetësore.