Një vatër zjarri është raportuar ditën e sotme në një zonë malore, në kufirin ndarës ndërmjet fshatrave Golem dhe Progonat në qarkun e Gjirokastrës. Pas sinjalizimit nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), drejt vendngjarjes është nisur menjëherë një grup i shërbimit zjarrfikës.
Efektivët konstatuan se vatra ndodhej në majë të një mali, në një terren tejet të thyer që e bëri ndërhyrjen mjaft të vështirë. Falë angazhimit të forcave në terren, u bë e mundur izolimi i flakëve dhe shuarja përfundimtare e tyre, duke parandaluar përhapjen në zona të tjera. Sipas të dhënave zyrtare, zjarri përshkoi një sipërfaqe prej 3 hektarësh, të mbuluar kryesisht me bimësi të ulët, shkurre dhe barishte.
Aktualisht, shërbimi zjarrfikës vijon të qëndrojë në vendngjarje për të monitoruar territorin dhe për të shmangur çdo mundësi të riaktivizimit të flakëve.