Vatra e zjarrit e shfaqur pasditen e datës 4 shtator në fshatin Picar të Gjirokastrës është vënë nën kontroll dhe është shuar plotësisht. Njoftimi për ngjarjen është marrë në orën 18:35, pas së cilës strukturat e Shërbimit Zjarrfikës ndërhynë për neutralizimin e flakëve.
Operacioni i shuarjes u përmbyll me sukses në orën 21:00. Për përballimin e situatës u angazhuan 13 zjarrfikës, 3 punonjës me kontratë të përkohshme, 2 automjete zjarrfikëse dhe 1 automjet mbështetës. Sipas autoriteteve, zjarri kishte rënë në zonën pyjore në hyrje të fshatit, ku terreni paraqitej i vështirë për shkak të dendësisë së bimësisë dhe shkurreve. Pavarësisht raportimeve fillestare për rrezikun e përhapjes së flakëve drejt zonës së banuar, ndërhyrja e shpejtë bëri që të mos ketë asnjë dëm në njerëz apo dëme materiale.
Aktualisht, situata në fshatin Picar paraqitet e qetë dhe nën kontroll. Për të parandaluar çdo mundësi të riaktivizimit të vatrave, një grup zjarrfikësish do të qëndrojë në terren për monitorimin e zonës.