Gjatë 24 orëve të fundit, territori i Shqipërisë është përballur me 22 vatra zjarri, nga të cilat aktualisht 3 mbeten aktive dhe 4 të tjera janë nën mbikëqyrje. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar në total 288 forca operacionale, të mbështetura nga 21 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët kanë kryer 3 operacione ajrore.
Vatrat që vijojnë të jenë aktive janë:
• Mali i Dajtit (Tiranë): Puna për shuarjen e flakëve është përqendruar në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, me angazhimin e 20 forcave zjarrfikëse dhe të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe ndihmën e një helikopteri.
• Vajkal (Bulqizë): Zjarri është përhapur në një terren shkëmbor me shkurre dhe dëllinja. Operacioni përfshin 40 forca vendore dhe vullnetare, të përforcuara nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe ndërhyrje nga ajri.
• Sllatinë (Dibër): Vatra ndodhet në një sipërfaqe pyjore me ah. Për shuarjen e saj janë angazhuar gjithsej 46 forca (bashkiake, vullnetare dhe të ADZM-së), ndërsa ndërhyrja nga ajri është bërë e domosdoshme për të parandaluar përhapjen drejt pyjeve me pisha.
Ndërkohë, 4 vatra të tjera në Qafë të Helmës dhe Arrmollë (qarku Dibër), si dhe në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit (qarku Elbasan), mbahen nën mbikëqyrje. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmon se situata në këto zona është nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë me prioritet mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
Përditësime
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) raportoi se deri në orën 14:00 të datës 28 gusht, në vend janë aktive 7 vatra zjarri, ndërsa 2 të tjera mbahen nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht. Zjarret janë përhapur në 5 qarqe: Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Autoritetet konfirmuan shfaqjen e vatrave të reja në Tërbaç (Himarë), Tërbuq (Gjirokastër) dhe Plovisht (Maliq). Në terren janë shtuar forcat operacionale, me 53 punonjës të angazhuar në Vajkal dhe 25 të tjerë në operacionin për shuarjen e flakëve në Malin e Dajtit.
Autoritetet kanë përforcuar masat operacionale në terren përmes angazhimeve të dedikuara. Në zonën e Tërbaçit, operacioni po mbështetet nga dy automjete zjarrfikëse. Për vatrat në Tërbuq dhe Plovisht, janë dislokuar nga 3 efektivë dhe një automjet për secilën pikë. Në operacionin për shuarjen e flakëve në Vajkal, Forcat e Armatosura kanë angazhuar një helikopter për ndërhyrje nga ajri.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporton përshkallëzim të situatës, me 17 vatra zjarri të identifikuara në shkallë vendi, nga të cilat 8 mbeten aktive. Autoritetet evakuuan dy banesa në fshatin Xhyrë të Librazhdit për shkak të kërcënimit nga flakët, ndërsa vatra të reja janë shfaqur edhe në Dragot të Tepelenës dhe Çorrush të Mallakastrës. Përballë kësaj situate, Forcat e Armatosura kanë shtuar ndjeshëm kapacitetet operacionale: - Angazhimi i 4 helikopterëve dhe 1 avioni Air Tractor për ndërhyrje nga ajri. - Rikonfigurimi i forcave në terren me 95 efektivë në Vajkal dhe mbi 100 të tjerë në Sllatinë. Përveç vatrave aktive, 4 vatra të tjera mbahen aktualisht nën mbikëqyrje, ndërsa 5 të tjera janë shuar plotësisht.
Autoritetet kanë lokalizuar vatra të reja zjarri në Mali i Dajtit (Qafë Priskë), Tërbuq, Dragot, Çorrush dhe Tërbaç. Në Dragot të Tepelenës, flakët kanë dëmtuar ullishte, pemëtari dhe kultura bujqësore, ndërsa në Tërbuq të Gjirokastrës zjarri ka përshkuar 30 hektarë tokë. Forcat e Armatosura kanë dislokuar 30 ushtarë në Dragot, ndërsa angazhimi total i efektivëve ushtarakë në rang vendi ka arritur në 50 forca për operacionet e shuarjes.
Autoritetet njoftuan një bilanc të përditësuar të situatës së zjarreve në vend, me 34 vatra të regjistruara në 24 orët e fundit. Operacionet në terren janë intensifikuar me një angazhim total prej 481 forcash operacionale dhe 44 automjetesh zjarrfikëse. Përforcimet përqendrohen kryesisht në Vajkal me 61 efektivë dhe Sllatinë me 78 të tillë. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit kanë finalizuar shuarjen e plotë të vatrave në Tërbaç, Vranisht dhe Xhyrë.
Autoritetet kanë përshkallëzuar ndërhyrjen në terren për shkak të riaktivizimit të tre vatrave në Malin e Dajtit dhe shfaqjes së një vatre të re në Komsi të Dibrës. Forcat e Armatosura kanë dislokuar 105 efektivë në mbarë vendin, nga të cilët 20 operojnë në Malin e Dajtit dhe 25 në Komsi. Operacioni ajror po mbështetet nga 3 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor, ndërsa në tokë janë vënë në dispozicion 2 mjete zjarrfikëse të dedikuara të Forcave të Armatosura.
Deri në orën 14:00 të 29 gushtit, autoritetet kanë raportuar 12 vatra zjarri në shkallë vendi. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile konfirmoi shuarjen e plotë të vatrës në Delisuf të Vlorës, pas djegies së 2 hektarëve tokë. Vatrat në Komsi, Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë tashmë të izoluara ose nën monitorim të rreptë. Operacionet vijojnë me një forcë prej 214 personash, përfshirë 75 efektivë të Forcave të Armatosura, mbështetur nga 6 mjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë. Përqendrimi kryesor i ndërhyrjes është aktualisht në Dajt (me 25 zjarrfikës dhe 2 helikopterë) dhe Vajkal (me 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter).
Autoritetet kanë saktësuar hartën e ndërhyrjeve dhe forcave të angazhuara në terren. Vatra e zjarrit në Dajt është lokalizuar me saktësi në drejtimin e Qafë-Priskës, përballë zonës së Farkës. Në Sllatinë, angazhimi operacional është rritur në 78 forca, nga 46 të raportuara fillimisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile konfirmon se vatra në Sllatinë dhe ajo në Qafë të Helmës mbeten ende aktive.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, konfirmoi riaktivizimin dhe zgjerimin e vatrave të zjarrit në Malin e Dajtit. Ai kërkoi zyrtarisht forcimin e koordinimit ndërinstitucional për t'iu përgjigjur situatës. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ka vënë në dispozicion kapacitetet e saj për menaxhimin e operacioneve në terren 24/7.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporton për një bilanc prej 16 vatrash aktive në shkallë vendi. Forcat operacionale janë përforcuar në 228 punonjës, të mbështetur nga 10 automjete zjarrfikëse dhe 4 helikopterë. Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë shuarjen e plotë të zjarreve në Komsi (Mat) dhe Delisuf (Vlorë). Një vatër e re është identifikuar në Kroi i Madh (Krujë), ku efektivët ndodhen në fazën përmbyllëse të izolimit të flakëve.
Forcat e Armatosura kanë rritur angazhimin në terren me 75 efektivë shtesë për të mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile konfirmoi zyrtarisht se situata në Kroin e Madh të Krujës po shkon drejt normalizimit, pasi ndërhyrjet kanë reduktuar rrezikun e përhapjes së flakëve.
Autoritetet kanë saktësuar dislokimin e forcave operacionale në vatrat aktive të zjarrit. Në Sllatinë janë angazhuar 78 forca, ndërsa në Vajkal po operojnë 31 efektivë. Për vatrën e identifikuar tashmë në zonën e Qafë-Priskës (Dajt), janë dislokuar 25 forca zjarrfikëse dhe 2 helikopterë për neutralizimin e flakëve.