Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në territorin e Shqipërisë, duke konfirmuar vijimin e operacioneve nga strukturat operacionale qendrore dhe vendore. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar MZSH, Forcat e Armatosura, ADZM/AZM, shërbimi pyjor, Policia e Shtetit, strukturat bashkiake dhe vullnetarë, ndërsa nga ajri janë vënë në dispozicion 2 helikopterë të ushtrisë.
Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të 3 vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga një helikopter. Në qarkun e Dibrës është përqendruar angazhimi më i gjerë tokësor. Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca me prita dhe pompa shpine, ndërsa në Vajkal operacioni është mbështetur nga një helikopter për shkak të erës. Në Sllatinë të Dibrës, ekipet prej 10 zjarrfikësish dhe forcave të tjera kanë përdorur mjete 4×4 për shkak të terrenit të thyer. Në Arrmollë situata është normalizuar pas ndërhyrjes me autobot uji, ndërsa në Ungrej të Lezhës zjarri është shuar plotësisht.
Në qarkun e Elbasanit, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bën me dije se në asnjërën prej zonave aktive nuk ka rrezik për banesat apo jetën e qytetarëve. Monitorimi i territorit vijon në koordinim me prefekturat dhe bashkitë për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Përditësime
Autoritetet kanë saktësuar bilancin e vatrave të zjarrit në 8 vatra në total, ku 5 janë aktive, 2 në mbikëqyrje dhe 1 e shuar. Përpjekjet në terren janë intensifikuar përmes një fronti të gjerë bashkëpunimi. Policia e Shtetit dhe shërbimi pyjor janë angazhuar përkrah forcave zjarrfikëse dhe vullnetarëve. Konkretisht, 13 vullnetarë po asistojnë në zonën e Vajkalit, ndërsa 7 të tjerë janë dislokuar në Sllatinë për mbështetjen e operacioneve operative.
Forcat e Armatosura kanë angazhuar 2 helikopterë për të mbështetur operacionet ajrore në vatrat aktive. Në terren, intensifikohen ndërhyrjet në Qafë të Helmës me 27 forca të kombinuara (8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë). Në sektorin e Vajkalit po operojnë 43 forca (4 pyjore, 5 policore, 6 bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë), ndërsa në Sllatinë janë mobilizuar 16 forca (4 nga ADZM, 5 nga njësia administrative dhe 7 vullnetarë). Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë shuarjen përfundimtare të vatrës në Ungrej të Lezhës, pas angazhimit të 2 automjeteve zjarrfikëse dhe 7 forcave operacionale.
Autoritetet raportuan 22 vatra zjarri në shkallë vendi gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë një vatër të re aktive në Malin e Dajtit, Tiranë. Operacionet e shuarjes po kryhen nga 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse. Mbështetja në terren është shtuar me 20 efektivë të Forcave të Armatosura në Vajkal, ndërsa forcat në Sllatinë arritën në 46 persona, të përbëra nga 33 forca bashkiake, 5 nga ADZM dhe 8 vullnetarë.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi zyrtarisht se aktualisht janë 3 vatra aktive dhe 4 vatra të tjera nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Helikopterët e Forcave të Armatosura kanë kryer 3 operacione ajrore për shuarjen e flakëve në terrenet e vështira. Ekspertët identifikuan llojet e bimësisë në rrezik: shkurre dhe dëllinja në zonën e Vajkalit, ndërsa në Sllatinë rrezikohet një sipërfaqe me pyll ahu.