Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, situata e zjarreve në vend po menaxhohet nga strukturat e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me Forcat e Armatosura. Operacionet për shuarjen e flakëve janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës. Përballimi i kësaj situate është mbështetur nga 214 forca operacionale, 30 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, 2 avionë Air Tractor dhe një ekskavator i rëndë me zinxhir.
Në Malin e Dajtit, ndërhyrja për izolimin e vatrave aktive vijon, ndërkohë që autoritetet sigurojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun të Bashkisë Pukë, situata është vënë nën kontroll, ndërsa vatra në Prozhëm mbetet aktive dhe po punohet për shuarjen e saj. Në qarkun e Dibrës, vatrat në Ballenjë dhe Qafë të Helmës janë ende aktive, ndërsa ajo në Bërshi monitorohet. Në Mirditë, zjarri në Shtuf vijon të jetë aktiv, ndërsa në Lufaj dhe Tenë situata është izoluar dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bën me dije se kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast të riaktivizimeve, duke vendosur si prioritet mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
Përditësime
Strukturat e Mbrojtjes Civile po monitorojnë aktualisht 10 vatra zjarri në vend. Operacionet për shuarjen e flakëve janë përqendruar në zonën e Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë, ku forcat operacionale po mbështeten nga ajri dhe toka për të vënë situatën nën kontroll.
Situata e zjarreve në vend shënoi përmirësim, me numrin e vatrave aktive që zbriti në 5, ndërsa 7 të tjera mbeten nën mbikëqyrje. Forcat operacionale të angazhuara në terren janë 216, të mbështetura nga 8 mjete zjarrfikëse. Përmirësim i ndjeshëm është regjistruar në Pukë, ku zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht. Gjithashtu, zjarret në Bërshi, Lufaj dhe Shtuf janë shuar tërësisht. Megjithatë, një vatër e re aktive është raportuar në malin e Luzatit, në Tepelenë.
Forcat e Armatosura kanë intensifikuar operacionet në terren me angazhimin e 70 efektivëve shtesë. Në malin e Dajtit, një forcë e përbashkët prej 30 efektivësh të FA dhe 30 zjarrfikësish po punon për neutralizimin e flakëve. Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë vatra të reja të raportuara në qarqet Elbasan dhe Vlorë. Për sa i përket vatrës në Prozhëm, situata po shkon drejt stabilizimit, me intensitet të ulët të flakëve.
Forcat e Armatosura kanë intensifikuar ndërhyrjen në terren me angazhimin e 40 efektivëve shtesë në zonën e Pukës, ku po përdoret edhe mbështetje ajrore me helikopter. Në operacionin në malin e Dajtit janë angazhuar 30 efektivë të FA, të cilët po mbështeten gjithashtu nga ajri për izolimin e flakëve.
Deri në orën 20:00 të datës 24 gusht 2026, bilanci i vatrave të zjarrit ka zbritur në 26 vatra në total. Nga këto, 14 janë shuar plotësisht, 6 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje. Forcat operacionale janë shtuar në 311 efektivë dhe 16 automjete zjarrfikëse. Autoritetet konfirmojnë shuarjen e plotë të vatrave në zonat Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Bërshi, Lufaj dhe Shtuf.
Autoritetet kanë ngushtuar perimetrin e ndërhyrjes, pasi numri i vatrave aktive ka rënë në 3, nga 6 të raportuara më herët. Forcat operacionale janë përforcuar në 370 efektivë dhe 22 automjete zjarrfikëse. Aktualisht, vatrat aktive janë të lokalizuara në Mali i Dajtit, Ballenjë dhe Qafa e Helmës. Në Mali i Dajtit, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 20 efektivë për shuarjen e flakëve, ndërsa vatrën në Qafa e Helmës po e monitoron vazhdimisht MZSH Bulqizë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) raporton se numri i vatrave aktive është rritur në 5, nga 3 të konfirmuara më herët. Në nivel kombëtar rezultojnë 11 vatra gjithsej: 5 aktive, 5 nën mbikëqyrje dhe 1 e shuar plotësisht. Autoritetet identifikuan dy vatra të reja në Malin e Dardhës (Librazhd) dhe Valikardhë (Bulqizë). Forcat operacionale në terren janë reduktuar në 65 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse, pas konsolidimit të operacioneve të mëngjesit.
Autoritetet kanë përshkallëzuar ndjeshëm operacionet e shuarjes së zjarreve, duke angazhuar 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse në të gjithë vendin. Forcat e Armatosura po mbështesin terrenin me 105 efektivë, 3 helikopterë dhe 1 avion AIR TRACTOR. Në qarkun e Dibrës janë identifikuar vatrat aktive në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi, ndërsa në Malin e Dajtit janë riaktivizuar 3 vatra të reja. Në qarkun e Elbasanit, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit mbeten nën mbikëqyrje. Ndërkohë, ndërhyrjet ajrore kanë shuar përfundimisht zjarret në Tërbaç, Vranisht dhe Xhyrë.