Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se situata me zjarret në vend vazhdon të jetë e monitoruar, ndërsa 21 vatra janë shuar dhe 9 të tjera mbahen aktualisht nën mbikëqyrje. Strukturat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) janë në koordinim të vazhdueshëm me bashkitë dhe prefekturat për të ndërhyrë në zonat problematike, me prioritet mbrojtjen e banesave, jetës së qytetarëve dhe mjedisit.
Zonat më të prekura nga zjarret përfshijnë qarqet e Shkodrës, Tiranës, Dibrës, Lezhës dhe Beratit. Në Shkodër, vatra aktive raportohen në Bardhaj-Myselim, Mnelë të Vogël, Narac dhe malin e Tërbunit. Në Tiranë, ndërhyrjet po kryhen në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Sa i përket Dibrës, vatrat ndodhen në Vajkal, Lundre-Madhesh, Qafë e Helmës dhe Cërrujë, ndërsa në Lezhë po punohet në zonat Gallatë dhe Kalivac-Zimaj-Kashnjet. Në qarkun e Beratit, vatër aktive mbetet ajo në Vokopolë.
Autoritetet theksojnë se kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren me 67 automjete zjarrfikëse dhe mbështetjen e vazhdueshme të Forcave të Armatosura, të cilat kanë përdorur gjithashtu një dron për monitorimin e situatës. Nuk raportohen rreziqe të drejtpërdrejta për banesat në zonat e Bërdicës dhe Kalivac-Zimaj-Kashnjet, ku puna për neutralizimin e flakëve vijon.
Përditësime
Autoritetet raportuan rritjen e numrit të vatrave aktive në 14, nga 9 të raportuara më parë. Pesë nga këto vatra klasifikohen si prioritare për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë ndaj zonave të banuara. Për ndërhyrjen nga ajri është angazhuar një helikopter në Lundrë të Matit. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, konfirmoi se temperaturat e larta dhe erërat e forta po ndërlikojnë operacionet e shuarjes në Malin e Tërbunit.
Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet kanë raportuar 44 vatra zjarri në shkallë vendi, nga të cilat 21 janë shuar plotësisht. Ndërkohë, 9 vatra mbeten nën mbikëqyrje të rreptë. Operacionet në terren janë intensifikuar: 82 efektivë dhe 1 helikopter po operojnë në Malin e Dajtit, ndërsa 1 avion Air Traktor është dislokuar në Kryezi të Kavajës për të neutralizuar flakët. Ekipet zjarrfikëse raportojnë gjithashtu shuarjen e plotë të vatrës në lagjen Kala të Beratit.
Situata e zjarreve në vend shënon përmirësim të ndjeshëm, me numrin e vatrave aktive që ka rënë në 8. Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet raportuan 43 vatra, nga të cilat 24 janë shuar plotësisht. Angazhimi në terren është intensifikuar, duke mobilizuar 614 forca vendore dhe 355 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacionet e shuarjes janë kryer gjithashtu 4 ndërhyrje me helikopterë. Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë identifikuar një vatër të re aktive në Gurëshpatë, Librazhd.