Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 235/1 të vitit 2023. Çështja lidhet me një skemë kriminale të falsifikimit dhe tjetërsimit të paligjshëm të pronave përgjatë vijës bregdetare të Durrësit.
Ndër personat e dërguar në gjyq janë:
- Aleksandër Laho (alias "Rrumi"), i cili akuzohet për "Mashtrim" me pasoja të rënda, "Falsifikim dokumentesh" dhe "Grup i strukturuar kriminal". Ai ndodhet nën masën e sigurimit "arrest në burg", e cila është e paekzekutuar.
- Vullnet Muça (alias Vullnet Kondi, Vullnet Muharremi), i cili akuzohet për të njëjtat vepra penale dhe ndodhet nën masën e sigurimit "arrest në burg" që prej datës 2 tetor 2025.
Sipas hetimeve, të pandehurit kanë bashkëpunuar me persona të ngarkuar me detyrën e lëshimit të dokumenteve zyrtare për të realizuar përvetësimin e pasurive. Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet kanë sekuestruar pasuri të paluajtshme dhe aktive me vlerë mbi 16 milionë euro.