Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zyrtarizuar marrjen si të pandehur të ish-kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim. Krahas tij, nën të njëjtën akuzë janë vënë edhe shtetasit Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur pas referimit nga Policia e Vlorës. Sipas akuzës, veprimet e dyshuara si të paligjshme janë kryer gjatë procedurave për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 67 hektarësh tokë, me qëllim instalimin e impianteve diellore. Kontratat për shfrytëzimin e këtyre pasurive për një afat 10-vjeçar janë lidhur me kompanitë AH Power and Konstruksion Sh.p.k. dhe Intex Sh.p.k.
Nga provat e mbledhura rezulton se trualli i dhënë me qira figuronte në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) si tokë bujqësore. Për të mundësuar shfrytëzimin e saj, Bashkia e Divjakës i kishte kërkuar Ministrisë së Bujqësisë ndryshimin e kategorisë së tokës nga bujqësore në tokë pa fryt. Çështja tashmë i ka kaluar për vlerësim seancës paraprake, ku gjyqtar i çështjes është caktuar Erjon Çela.