Spanja po përballet me një situatë kritike për shkak të vatrave të shumta të zjarrit që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit. Në rajonin e Valencias, presidenti Juanfran Perez Llorca konfirmoi se zjarri është përtej kapaciteteve shuarëse të ekipeve në terren, duke pasur një perimetër prej 21 kilometrash. Si pasojë, autoritetet kanë evakuuar të paktën 15.000 persona.
Ndërkohë, në zonat përreth Madridit dhe në afërsi të Toledos, kushtet e përkeqësuara nga valët e të nxehtit dhe erërat e forta kanë detyruar evakuimin e rreth 60.000 personave. Situata mbetet e ndërlikuar, ndërsa qeveria rajonale e Madridit ka paralajmëruar se numri i të zhvendosurve mund të rritet. Sipas të dhënave të fundit, flakët kanë shkrumbuar të paktën 6.000 hektarë tokë në rajonin e Madridit dhe rreth 9.000 hektarë në provincën e Avilës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka theksuar se forcat zjarrfikëse po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar jetë njerëzish. Operacionet e shuarjes po mbështeten nga shtete të tjera, si Portugalia dhe Italia, të cilat kanë dërguar aeroplanë për të ndihmuar në terren. Fatkeqësisht, raportohet për humbjen e jetës së një personi në një vatër zjarri në lindje të vendit.
Situata mbetet shqetësuese edhe në shtetin fqinj, Francë, ku zjarret në jugperëndim të vendit kanë detyruar largimin e 250.000 personave, duke shënuar një prej evakuimeve më të mëdha në historinë moderne franceze.
Përditësime
Për herë të parë në historinë e saj, qeveria spanjolle ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare si pasojë e zjarreve masive. Autoritetet kanë evakuuar 59.488 persona, nga të cilët 30.000 në Ávila dhe 29.488 në zonat përreth Madridit. Aktualisht, 28.262 qytetarë mbeten të izoluar në banesat e tyre, përfshirë 20.262 në Madrid dhe 8.000 në Ávila. Përmirësimi i kushteve meteorologjike gjatë natës ka krijuar mundësi për vënien e vatrave nën kontroll brenda fundjavës.