Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Financave Hekuran Murati dhe Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
SPERTK kërkon trajtim të barabartë për punëtorët e RTK-së në lidhje me pagën e 13-të për vitin 2026. Sipas buxhetit të miratuar për këtë vit dhe deklaratës së kryeministrit në fund të marsit, punonjësit e sektorit publik përfshihen në këtë mekanizëm, por RTK-ja mbetet jashtë.
Sindikata thekson se punëtorët e RTK-së kontribuojnë drejtpërdrejt në shërbimet publike dhe informimin e qytetarëve, ndërsa institucioni financohet nga buxheti i shtetit. Kjo krijon pabarazi me punonjësit e institucioneve të tjera të financuara nga fondet publike.
Kërkesat specifike përfshijnë:
- Përfshirjen e RTK-së në mekanizmin ligjor dhe buxhetor të pagës së 13-të, duke respektuar statusin e saj si media publike.
- Miratimin e një akti ligjor ose vendimi administrativ në përputhje me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
- Njoftimin zyrtar të SPERTK-së për vendimin përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm.
Në letër thuhet se, në rast se nuk merret përgjigje konkrete dhe e dokumentuar, SPERTK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore sindikale për mbrojtjen e interesave të punonjësve.