Studentët shqiptarë në Shkup kanë paralajmëruar një protestë më 18 maj, ku do të kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo kërkesë konsiderohet themelore për barazinë dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në arsimin e lartë të Maqedonisë së Veriut.
Thirrja për pjesëmarrje ka marrë mbështetje nga figura publike, midis të cilëve ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana. Ai ka shkruar: "Gjuha është një nga shtyllat e identitetit; kur ajo mohohet, mohohen të gjitha të drejtat për barazi, zhvillim dhe përkatësi! Ne nuk pretendojmë asgjë më shumë sesa atë që kemi fituar nëpërmjet sakrificës së paraardhësve tanë dhe të drejtës sonë të studiojmë në gjuhën tonë etnike, autoktone dhe shtetformuese. Bashkohu dhe ti."
Cana bën thirrje për bashkim dhe mbështetje sa më të gjerë nga qytetarët.
Protesta vjen si përpjekje për të rihapur debatin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe arsimin e lartë në vend.