Studentët shqiptarë kanë protestuar në Shkup të Maqedonisë së Veriut për të drejtat gjuhësore. Një nga organizatorët, Mevlan Ademi, parashtroi kërkesat e tyre para protestuesve.
Ademi u shpreh se studentët nuk duhej të dilnin në rrugë në vitin 2026 për gjuhën e tyre. "Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë, profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra sesi jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu", tha ai.
Ai theksoi se gjuha shqipe nuk negociohet dhe se ligji njeh të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare. Studentët kërkojnë barazi, jo favore. "Kjo është minimumi baza, dinjiteti. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Ne nuk jemi kundër askujt, ndoshta kundër Fillkovit. Jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë, për të ardhmen tonë", deklaroi Ademi.
Më tej, ai tha se nuk lejojnë trajtimin e shqipes si opsion, por si identitet. "Nuk ka shtet të së drejtës pa barazi të gjuhës. Jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet, brezi që mbron dhe flet shqip", shtoi Ademi.