Najmeh Amini, studente 23-vjeçare e kontabilitetit, është dënuar me vdekje në Iran për fyerje të Profetit Muhamed në një postim në rrjetet sociale. Ajo mbahet në burgun Vakilabad, në qytetin Mashhad, në verilindje të vendit. Vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Iranit.
Sipas një burimi pranë familjes së saj, të cituar nga Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRAI), dënimi lidhet me veprën penale “sab ol-nabi”. Në një proces tjetër, Amini është dënuar me 12 vjet, gjashtë muaj dhe një ditë burgim për vepra që lidhen me sigurinë kombëtare dhe përhapjen e propagandës kundër regjimit.
Amini u arrestua nga forcat e sigurisë gjatë protestave masive antiqeveritare të janarit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë shtypjes së protestave u vranë mijëra persona, ndërsa agjencia e lajmeve Hrana, e lidhur me HRAI-n, raportoi më shumë se 50 mijë arrestime.
Muajin e kaluar, në një mesazh audio të publikuar nga burgu, Amini kërkoi ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara, avokatëve dhe organizatave për të drejtat e njeriut. “Nuk dua të paraqitem si heroinë. Dua vetëm një gjë: që zëri im të dëgjohet”, tha ajo. Në mesazh, Amini foli edhe për prindërit dhe familjen e saj, që, sipas saj, qëndrojnë zgjuar çdo natë nga frika se mos e humbasin.
Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, më shumë se 600 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i vitit. Drejtori i organizatës, Mahmoud Amiri-Moghaddam, tha se dënimi për një postim në rrjetet sociale mund të krijojë precedent për përdorimin e dënimit kapital ndaj shprehjes paqësore. Ai paralajmëroi se mungesa e një reagimi të vendosur ndërkombëtar mund të sjellë përsëritjen më të shpeshtë të rasteve të ngjashme.
Ligji dhe procesi gjyqësor
Neni 262 i Kodit Penal Islamik të Iranit parashikon dënimin me vdekje për fyerjen e Profetit Muhamed. Neni 263 përfshin rrethana përjashtuese, ndër to deklaratat e bëra pa qëllim fyerjeje. Sipas gazetës iraniane Khorasan, Amini tha në gjykatë se i kishte publikuar komentet pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë. Mbrojtja kërkoi që gjykata të merrte parasysh gjendjen e saj, por gjyqtari e rrëzoi argumentin. Sipas gazetës, ai e pyeti pse, në të njëjtën gjendje, nuk kishte fyer figura të tjera apo kundërshtarë të regjimit, si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.