Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Bukureshtin dhe 20 qarqe të tjera të Rumanisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, automjete dhe infrastrukturë. Sipas autoriteteve të emergjencës, stuhia ka shkaktuar vdekjen e një personi, pasi një pemë ra mbi automjetin që ai po drejtonte.
Në kryeqytet, situata ka qenë kritike, me rreth 2,000 thirrje për ndihmë të raportuara. Shirat intensivë dhe erërat e forta shkaktuan përmbytje në zona të ndryshme, përfshirë disa stacione të metrosë. Jashtë Bukureshtit, stuhia ka prekur 60 qytete dhe fshatra, ku shërbimet zjarrfikëse dhe policia u angazhuan për evakuimin e qytetarëve nga banesat e përmbytura dhe pastrimin e mbeturinave.
Ky përkeqësim i kushteve atmosferike erdhi pas një vale të nxehti që mbërtheu vendin gjatë ditëve të mëparshme, ku temperaturat në disa zona kaluan 40 gradë Celsius. Kjo situatë kishte çuar në rritjen e konsumit të energjisë dhe shtrenjtimin e çmimeve të saj.