Një stuhi e fuqishme që përfshiu qytetin e Sarandës mbrëmjen e së martës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në një pallat 12-katësh. Çatia e katit të fundit, e ndërtuar me material druri, është shkatërruar, duke lënë 4 familje të katit të fundit pa mbulesë.
Pas raportimit të situatës, punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të bashkisë së Sarandës kryen një verifikim në terren. Nga këqyrja rezultoi se gjysma e çatisë është shkatërruar plotësisht, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar dëmtime të rënda strukturore.
Gjatë verifikimit, autoritetet vunë në dukje se ky objekt është një ndërtim i hershëm, i cili nuk është i pajisur me çertifikatë pronësie. Banorët e prekur nga dëmtimi posedojnë vetëm kontratën e porosisë, të lidhur midis ndërtuesit Shpëtim Boçi dhe blerësve.
Çështja i ka kaluar autoriteteve të bashkisë, të cilat pritet të vlerësojnë hapat e mëtejshëm për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për riparimin e dëmeve në pallat.