Blendi Sulaj, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, në një takim me administratorët e zonave rurale dhe drejtues të Policisë Bashkiake, ka dhënë udhëzime për të shtuar monitorimin në të gjithë lumenjtë dhe pikat ku derdhen inerte në mënyrë të paligjshme.
Ai ka paraqitur një listë me emra biznesesh dhe vende specifike ku ndodhin këto shkelje. Pikërisht në këto pika, javën e ardhshme do të ushtrohen kontrolle të përbashkëta me Policinë Bashkiake.
Nga ana tjetër, Sulaj u ka bërë thirrje bizneseve në kryeqytet të respektojnë rregullat e bashkëjetesës dhe të jenë të kujdesshëm në vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në trotuare. Me ngritjen e temperaturave është vërejtur një tendencë për shtimin e tyre, çka pengon kalimin e qytetarëve.
Monitorimet për lirimin e hapësirave publike vazhdojnë dhe nuk do të tolerohen abuzimet. “Thirrjen e kam për të gjitha bizneset të cilat, me rritjen e temperaturave mendojnë se nuk i kemi në monitorim, dhe si rrjedhojë shtojnë tavolinat dhe karriget, duke zënë trotuaret. Ne i kemi të gjitha në monitorim dhe nuk do të lejojmë asnjë biznes, i cili do të abuzojë me hapësirën publike. Qytetarët kanë hapësirën e tyre, biznesi po ashtu, këto janë rregullat e bashkëjetesës. Me ardhjen e pranverës ka një tendencë, jo nga të gjithë, por nga disa biznese në zona të caktuara, të cilat i shtojnë tavolinat dhe i detyrojnë qytetarët të dalin në korsitë e biçikletave për t’u kthyer prapë në trotuar”, deklaroi Sulaj.