Një grup prej katër personash, të armatosur dhe të maskuar, sulmoi këtë të hënë dy automjete të blinduara që transportonin para dhe mallra me vlerë në autostradën që lidh Lecce-n me Brindisin në Itali.
Grabitësit vendosën një furgon të shpërthyer në mes të rrugës për të bllokuar trafikun dhe zbritën dy shoferët e automjeteve. Pas kësaj, ata hapën zjarr me kallashnikov ndaj automjeteve të blinduara dhe ndaj karabinierëve të Lecce-s që mbërritën në vendngjarje.
Grabitja dështoi dhe nuk raportohet për të lënduar. Dy persona të dyshuar u vunë në pranga.
Pas sulmit, autostrada Brindisi–Lecce u mbyll përkohësisht në të dy drejtimet. Hetimet kanë nisur për zbardhjen e rrethanave.