Lorent Tolaj, sulmuesi 24-vjeçar kosovar, luan me Plymouth Argyle në Ligën e Tretë të Anglisë (League One). Ai ka shënuar 12 gola në 23 paraqitje, duke u renditur ndër golashënuesit kryesorë të ekipit.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Faqja zyrtare RTS Sport e radiotelevizionit zviceran e ka krahasuar me yllin norvegjez Erling Haaland. "Shpeshherë krahasohet me Haalandin. Lorent Tolaj është golashënuesi i tretë më i mirë në katër kategoritë e para të futbollit në Angli", thuhet në shkrimin e tyre.
Në moshën 16-vjeçare, Tolaj u largua nga klubi zviceran Sion dhe bashkë me familjen u vendos në Brighton të Anglisë. Ka luajtur për përfaqësuesen e të rinjve të Zvicrës në grupmoshat U17, U18 dhe U19. Me Zvicrën U19 shënoi tetë gola kundër Gjibraltarit në kualifikimet evropiane.
Midis viteve 2018 dhe 2023, vuajti lëndime serioze dhe luajti me huazim në kategori më të ulëta. Në verën e 2023-ës kaloi te një ekip i kategorisë së pestë angleze. Në vitin 2025 shënoi 23 gola.
Aktualisht, Plymouth Argyle zë vendin e 14-të në tabelë me 33 pikë pas javës së 26-të në ligën me 24 skuadra. Kryeson Cardiff me 55 pikë, gjashtë pikë më shumë se Lincoln në vendin e dytë. Dominic Ballard i Leyton Orient kryeson listën e golashënuesve me tre gola më shumë se Tolaj.