Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, së bashku me deputetë të tjerë të kësaj partie, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi takime me anëtarë të Kongresit Amerikan. Ata u takuan me kongresmenët Keith Self, Jeff Sessions, John Moolenaar dhe Robert Aderholt. Diskutimet u përqendruan në çështje kyçe në lidhje me demokracinë, ekonominë dhe sigurinë në Shqipëri dhe rajon.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se në qendër të bisedave kanë qenë tre shqetësime kryesore:
- Ndikimi i grupeve kriminale në politikë dhe proceset zgjedhore, ku lufta reale kundër krimit të organizuar shihet si parakusht për funksionimin e shtetit ligjor dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
- Problematika e klimës së biznesit, ku mungesa e institucioneve të forta dhe zbatimi selektiv i ligjit e bëjnë Shqipërinë pak tërheqëse për investitorët europianë dhe amerikanë. Pa sundim të ligjit dhe garanci institucionale, investimet serioze dhe afatgjata shmangin vendin.
- Siguria e investimeve kritike dhe infrastrukturës strategjike, duke lidhur analizën dhe kontrollin e investimeve të huaja me forcimin e ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Sipas saj, ekonomia nuk është vetëm çështje zhvillimi, por edhe element thelbësor i sigurisë.
Tabaku rikujton se këto çështje janë reflektuar në nismat e saj parlamentare, përfshirë propozimin për analizën e investimeve të huaja, i cili u refuzua nga qeveria. Ajo vlerëson se kjo nismë nuk është politike, por nevojë imediate për të frenuar investime që mund të dëmtojnë interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe sigurinë e vendit.
Vizita dhe takimet synojnë forcimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik amerikan dhe ndërkombëtarizimin e shqetësimeve reale mbi demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.