Taksa e qarkullimit mbi karburant u vendos në Shqipëri në vitin 2012. Fillimisht ajo ishte 7 lekë për litër, por u rrit gradualisht deri në vitin 2015, kur arriti nivelin prej 27 lekësh për litër, që mbetet në fuqi edhe sot.
Ideja që përdoruesit e rrugëve të kontribuojnë për infrastrukturën u diskutua që në kohën e projektit të Rruga e Kombit. Kjo u institucionalizua me taksën, e cila paguhet nga konsumatorët për çdo litër benzine ose nafte të shitur. Qëllimi zyrtar është financimi kryesisht i mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.
Taksa është pjesë e barrës fiskale mbi karburant bashkë me akcizën dhe TVSH-në. Me rritjen e konsumit, të ardhurat kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në vitin 2025 u arkëtuan rreth 220 milionë euro nga kjo taksë.
Në teori, fondet shkojnë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrugëve. Megjithatë, mungon pothuajse çdo transparencë në përdorimin e tyre.
Autostrada Tiranë-Durrës, nyja kryesore ekonomike, ka gropa prej vitesh dhe riparimet e asfaltit zgjasin pak. Rruga e Kombit është shembull tjetër, ku përdoruesit paguajnë për riparimin dhe mirëmbajtjen përmes taksës.