Drafti i ri i propozuar nga Ministria e Financave synon ndryshimin e skemës së tatimit për ndërtesat që përdoren për qëllime tregtare. Propozimi parashikon rritjen e shkallës së taksës mbi ndërtesat tregtare, duke çuar në një rritje të detyrimit vjetor deri në 25% për subjektet ekonomike.
Aktualisht, formula e llogaritjes mbështetet te çmimet e referencës, ku vlera për metër katror e një dyqani në Tiranë llogaritet si dyfishi i çmimit fiskal të një apartamenti, ndërsa në qytetet e tjera përllogaritet si 1.5 herë e atij çmimi. Për bizneset në rrethe, niveli i taksës nuk pritet të ndryshojë, pasi çmimet e referencës kanë mbetur të pandryshuara.
Për të ilustruar efektin, një pronar dyqani me sipërfaqe 100 metra katrorë në zonat kadastrale periferike të Tiranës (siç është zona 1/1 ose 1/2), ku çmimi fiskal i referencës së vitit 2023 është 102,800 lekë/m2, paguan aktualisht një detyrim vjetor prej 41,120 lekësh. Krahasuar me çmimet e referencës së vitit 2018, detyrimi për këtë subjekt kishte pësuar më parë një rritje prej 5%.