Svetozar Maroviq, ish-president i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, është i lirë që nga 10 tetori, pasi dënimi për korrupsion i shqiptuar në Mal të Zi u parashkrua. Ai u arratis në Serbi pas shpalljes së vendimit gjyqësor më 2016. Deri në parashkrimin e dënimit, Beogradi refuzoi ta ekstradonte, ndonëse Serbia dhe Mali i Zi kanë marrëveshje për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe vepra të tjera të rënda penale.
Marrëveshjet e ekstradimit në Ballkanin Perëndimor synojnë të pengojnë keqpërdorimin e shtetësisë së dyfishtë dhe arratisjen në vendet fqinje për t’iu shmangur drejtësisë. Shumica e vendeve të rajonit kanë marrëveshje dypalëshe, të cilat nisën t’i nënshkruanin kryesisht nga viti 2010. Ato mundësojnë ekstradimin e shtetasve sipas kushteve të caktuara, të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Megjithatë, marrëveshjet nuk zbatohen për veprat penale të kryera para nënshkrimit dhe, në rastin e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, as për krimet e luftës.
Profesoresha e pensionuar e së Drejtës nga Beogradi, Vesna Rakiq Vodineliq, i tha Radios Evropa e Lirë se lidhjet politike kanë ndikim të madh në vendimet për refuzimin e kërkesave të shteteve fqinje për ekstradim. Sipas saj, Maroviq duhej të ishte ekstraduar.
Të dënuar dhe të kërkuar në Serbi
Novak Gjukiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, u arratis në Serbi më 2014, pak para shpalljes së vendimit gjyqësor në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u dënua në Sarajevë me 20 vjet burgim për krime lufte, për vrasjen e 71 civilëve në zonën e Kapijës, në Tuzllë. Beogradi refuzon ta ekstradojë, pasi Gjukiq ka edhe shtetësi serbe dhe Serbia nuk i ekstradon shtetasit e saj.
Shtetësi të dyfishtë kanë edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Sërpska Tomisllav Kovaç, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça. Ata janë ndër personat që kërkohen nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës për krime lufte, por jetojnë të lirë në Serbi.
Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime ndaj tij gjatë viteve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar për lidhje me krimin ndërkombëtar. Më 9 tetor, ai mori pjesë në një tubim zgjedhor të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
Në Serbi jetojnë të lirë edhe persona të tjerë ndaj të cilëve drejtësia e Kosovës ka ngritur aktakuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë krime lufte. Disa janë aktivë në jetën publike, ku promovojnë libra, merren me politikë dhe paraqiten në media. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi me të; shumica e të akuzuarve gjykohen në mungesë në Kosovë. Për bashkëpunimin mes dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gjatë dekadës së fundit, në Serbi kanë marrë shtetësi, azil ose forma të tjera mbrojtjeje edhe shtetas të Rumanisë, Bullgarisë, Tajlandës dhe vendeve të tjera, të kërkuar nga autoritetet e vendeve të tyre.