Kupa e Botës 2026, e cila ka nisur prej pak ditësh, është shoqëruar me incidente të ndryshme mes tifozëve. Rasti më i fundit u regjistrua në Times Square të New York-ut, ku mbështetës të Argjentinës dhe Algjerisë u përplasën fizikisht, duke shkaktuar kaos në zonë. Në pamjet e publikuara shihet se në konflikt janë përfshirë edhe gra dhe fëmijë.
Kjo përplasje ndodh në prag të ndeshjes mes dy kombëtareve, e cila do të çelë Grupin J. Takimi është programuar të luhet të mërkurën, në orën 3:00 të mëngjesit, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe dueli tjetër i grupit mes Austrisë dhe Jordanisë.
Sfida midis Argjentinës dhe Algjerisë do të ketë një rëndësi të veçantë për kapitenin argjentinas, Lionel Messi. Ai pritet të zhvillojë paraqitjen e tij të 200-të me fanellën e përfaqësueses, katër vjet pasi udhëhoqi ekipin drejt titullit botëror në Katar.