Tifozët kosovarë u përballën me një vonesë të papritur në aeroportin e Bratisllavës. Për shkak të problemeve me sistemin, ata mbetën të bllokuar për një orë në hyrje të aeroportit të kryeqytetit sllovak.
Njëri prej tyre, Luaras Meha, udhëtoi drejt Sllovakisë për të mbështetur Kombëtaren e Kosovës. Ai deklaroi për Gazeta Express: «Jemi në Bratisllavë, jemi bllokuar në aeroport që një orë. Po na thonë se sistemi nuk po ju bën. Një avion me të gjithë tifozët shqiptarë kemi ardhur këtu, disa janë nga Dardania e të tjerë individualisht për ta përkrahur Kosovën. Po presim, shpresojmë të mos zgjasë shumë kjo gjendje».
Shumë tifozë kosovarë nga zona të ndryshme kanë udhëtuar drejt Bratisllavës. Ata synojnë të jenë të pranishëm në ndeshjen gjysmëfinale të play-off-it të Botërorit 2026, ku Kosova luan kundër Sllovakisë nesër mbrëma. Kjo ndeshje është vendimtare për kualifikimin në turne.