Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka rënë gjatë natës në fshatin Bestrovë të Vlorës, duke krijuar një situatë emergjente në zonë. Zjarri është shfaqur përmes tri vatrave aktive që u aktivizuan pothuajse njëkohësisht, të cilat u favorizuan nga era e fortë, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në terren.
Nga zjarri është djegur një sipërfaqe e gjerë me bimësi dhe shkurre, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe rrënjë ullinjsh, duke shkaktuar dëme për banorët e zonës. Për shuarjen e flakëve dhe ndalimin e përhapjes së tyre, në terren kanë mbërritur mjete zjarrfikëse, tre autobote dhe forcat e Emergjencave Civile.
Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur shmangien e përhapjes së zjarrit drejt dy staneve që ndodheshin në afërsi. Pas një pune intensive prej pesë orësh, forcat në terren kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll. Ndërkohë, vijon monitorimi i zonës për të shmangur çdo mundësi të riaktivizimit të vatrave. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, ku nuk përjashtohet pista e zjarrvënies së qëllimshme.